Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook ka kujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, transmeton Gazeta Metro.
Ai ka thënë se kjo masakër vuri në lëvizje gjithë botën demokratike që me forcë të ndalte shfarosjen e një populli të tërë.
Tutje, i pari i AAK’së ka shkruar se masakra e Reçakut nuk duhet harruar e as mohuar.
”Kjo masakër mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar,” ka shkruar ai.
Në fund Haradinaj është shprehur mirënjohës ndaj Ambasadorit asokohe të misionit të OSBE’së, William Walker, i cili pa me sytë e tij dhe përjetoi tmerrin e shkaktuar nga Serbia.
”Mirënjohës përjetë Ambasadorit amerikan William Walker që e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit,” ka shkruar ai.
Kujtojmë se 15 janari i vitit 1999’të shënon një nga ngjarjet më makabre të kryer nga regjimi i Slobodan Milosevic. /gazetametro.net