Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola pas disfatës me rezultat 2-1 në ‘Old Trafford’ kundër Manchester United ka thënë se nuk është i interesuar të fitojë Premier League. Ai komentoi edhe golin e Bruno Fernandes që sipas tij nuk duhej pranuar, transmeton Gazeta Metro.
Pas humbjes të mërkurën ndaj Southampton në Carabao Cup ‘Citizens’ u mposhtën sot në derbin lokal në një ndeshje tejet të rivalizuar, ku ‘Djajtë e Kuq’ në fund fituan me përmbysje
Goli i barazimit nga Bruno Fernandes në minutën e 78’të sipas teknikut spanjoll nuk duhej të pranohej, për arsye se Marcus Rashford kishte qenë në pozitë jashtë loje.
”Rashford ishte jashtë loje, ai pengoi portierin dhe mbrojtësit tanë. Ne e dimë se kur luajmë në Old Trafford, për gjyqtarët nuk është e lehtë,” tha ai për ‘BT Sports’.
Tutje, Guardiola u shpreh i kënaqur me lojën e treguar nga futbollistët në fushë, derisa la të kuptohet se objektivi i Man Cityt këtë edicion nuk do të jetë triumfi në kampionatin anglez.
”Nuk më intereson Premier League ose Carabao Cup. Kemi fituar shumë, kështu që nuk është problem. Ndeshja ishte vërtet e mirë. Ne luajtëm shumë mirë dhe e përgëzoj ekipin. Jam krenar që erdhëm këtu dhe luajtëm me këtë personalitet,” tha ai.
Kampionët në fuqi të Anglisë gjenden në pozitën e dytë në tabelë me 39 pikë, pesë më pak se Arsenal që nesër do të takohet me Tottenham me fillim nga ora 17:30. /gazetametro.net