Një 25-vjeçar ka përfunduar në spital pasi u sulmua me thikë në mes të rrugës ‘UÇK’ në qytetin e Pejës, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, gjithçka ka ndodhur mbrëmë derisa 25-vjeçari ishte duke ecur rrugës me të dashurën e tij, ku papritmas dyshohet se është sulmuar me thikë nga vëllai i kësaj të fundit.
I riu ka marrë lëndime trupore si pasojë e goditjes me thikë, për çka edhe u desh që të kërkojë ndihmë mjekësore në spital.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se rasti është denoncuar në Polici, të cilët janë vënë menjëherë në lëvizje që të arrestojnë personin e dyshuar.
I njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe sipas burimeve të Sinjalit, motivi që shtyu 24-vjeçarin të kryejë atë veprim, është pakënaqësia për lidhjen dashurore të motrës së tij me viktimën.
Pas përfundimit të procedurave, me vendim të prokurorit atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.