Qyteti i Kukësit është përfshirë nga një atmosferë festive këtë fundjavë. E shtuna do të jetë një ditë e shumëpritur për kuksianët, klubin e Kukësit, por edhe për futbollin shqiptar. Pas më shumë se dy vitesh, tashmë shtëpia e re e futbollit kuksian, “Kukësi Arena” është gati dhe do të hapë dyert për futbolldashësit.
Impianti më i ri modern i futbollit shqiptar ka përfunduar dhe do të presë këtë të shtunë ndeshjen e Superiores midis Kukësit dhe Laçit, që starton në ora 20:00. Tashmë kemi edhe një tjetër vepër madhore infrastrukturore të futbollit shqiptar, e ndërtuar falë një investimi 50% të FSHF-së dhe 50% nga qeveria shqiptare.
Stadiumi gumëzhin nga stafi që po bën përgatitjet e fundit në mënyrë që të jetë në gjendje perfekte për të pritur ndeshjen e parë, që do të hapet me nje ceremoni festive, ku do të marrin pjesë edhe personalitete të larta shtetërore dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Interesi edhe nga tifozëria kuksiane është i madh dhe pritet që stadiumi të jetë i mbushur plot për sfidën e së shtunës. Shumë qytetarë kuksianë kanë vizituar gjatë gjithë ditës së premte mjediset e stadiumit dhe janë surprizuar me këtë vepër gjigande infrastrukturore.
“Kukësi Arena” është tashmë një realitet dhe një impiant ndër më modernët në Shqipëri, pasi ofron kushte dinjitoze për ekipet, tifozët dhe mediat, me hapësira të bollshme dhe të mëdha për të gjitha nevojat që ka një ndeshje futbolli edhe e nivelit ndërkombëtar.
Punimet kanë ecur me ritme të shpejta dhe të gjitha ambientet e brendshme e të jashtme janë të përfunduara. Impianti, që ka një kapacitet prej 6200 vendesh, siç e kërkojnë procedurat i është nënshtruar testeve të fundit për fushën dhe ndriçimin, që kanë rezultuar pozitive.