“2-0 i ndeshjes së parë? Në përgjithësi, ky është avantazhi që përmbyset më shpesh në futboll. Nëse mendojmë se e kemi kryer misionin e plotë të këtij raundi, në mënyrë të pashmangshme po gabojmë. Mjerë ai që e merr diçka si të mirëqenë në Champions League, aq më tepër kundër një ekipi si Interi”.
Është i zakonshmi Jürgen Klopp, që sapo ka përfunduar së foluri në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes së kthimit kundër Interit, e për 1/16 e Ligës së Kampionëve, të planifikuar për nesër në “Anfield”, prej orës 21:00.
Trajneri i “Reds vazhdoi”: “Ndeshja e parë në ‘San Siro’, siç e dimë ishte shumë e vështirë dhe rezultati nuk duhet të na mashtrojë. Ne jemi shumë të vetëdijshëm për cilësitë e Interit dhe për faktin se zikaltrit vijnë nga një fitore 5-0 në kampionat. Ata do të vijnë këtu për të fituar, por ne do të synojmë të njëjtën gjë. Nuk do të luajmë në mbrojtje”.
Thiago Alcantara, Joel Matip dhe Roberto Firmino në rrugën e rikuperimit? “Të tre u stërvitën dje, por sinqerisht nuk e di nëse do të grumbullohen, më duhet t’i vlerësoj me kujdes. Kalendar i ngjeshur? Mbingarkesa peshon shumë për ekipin tim, edhe për klubet e tjera. Mendoj se është e drejtë dhe thelbësore që Premier League të miratojë përgjithmonë 5 zëvendësimet si në ligat e tjera evropiane”, – nënvizoi trajneri gjerman.
Salah u largua në ndeshjen kundër West Hamit. Në shtëpinë e Liverpool-it tashmë po mendohej për Interin. “Absolutisht jo, – komenton Klopp. – Momo ka të njëjtin trajtim si lojtarët e tjerë. Përveç kësaj, në atë moment pata mundësinë të shtoja më shumë freski me Diogo Jota”.