Kriza me energji elektrike në Kosovë ka ngjallur debate të shumta.
E, në seancën e Kuvendit kur është diskutuar pikërisht për këtë çështje, ish-qeverisja e Isa Mustafës është akuzuar që pikërisht në vitin 2015 ka refuzuar projektin për rivitalizimin e termocentralit Kosova A nga kompania gjermane “Bilfinger”.
Kjo kompani ishte thënë se do t’i siguronte Kosovës energji për rreth 30 vjet.
Në atë kohë ministër i Ekonomisë dhe Zhvillimit Ekonomik ishte Blerand Stavileci.
Pikërisht për këtë çështje ai ka folur për FrontOnline, duke dhënë një përgjigje të shkurtë.
“Projekti të cilit ju i referoheni ishte në nivel ideor dhe nuk kishte garanca për asnjërën nga komponentët esencial që do të duhej t’i përmbushte”, është shprehur shkurt Stavileci për FrontOnline.
Organi që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë propozoi shtrenjtimin e rrymës për të gjithë konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh rrymë në muaj, duke nxitur reagime dhe dy protesta.
Duke e marrë për bazë një zotim të Ministrisë së Ekonomisë se do t’i ndajë 75 milionë euro për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifa, ZRRE ka thënë se rritjes së çmimit të rrymës do t’i shpëtojnë vetëm ata konsumatorë që shpenzojnë më pak se 600 kWh rrymë në muaj.
Sipas ZRRE-së, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh rrymë në muaj dhe ata që shpenzojnë edhe më shumë se kaq, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.
Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh.
Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kwh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.