Neo-nazisti Anders Breivik, që vrau 77 persona në Norvegji në vitin 2011, po e padit shtetin për t’i dhënë fund viteve të izolimit, raporton “BBC”.
Breivik, vrau tetë persona me bombë në Oslo dhe më pas qëlloi për vdekje edhe 69 persona tjera në një kamp veror të të rinjve.
Ai thotë se gjendja në të cilën po mbahet, është shkelje e të drejtave të njeriut.
Ministria e Drejtësisë e Norvegjisë thotë se Breivik duhet të mbahet ndaras nga të burgosurit tjerë shkaku i shqetësimit për sigurinë.
Avokatët e Breivikut kanë thënë të hënën në gjykatë se 44-vjeçari më nuk dëshiron të jetojë.
“Ai ka qenë i izoluar për 12 vjet...Ai jeton plotësisht i mbyllur nga bota”, ka thënë avokati Oyestein Storrvik, gjatë seancës në gjykatë. “Ai nuk dëshiron të jetojë më”.
Breivik po ashtu po kërkon që gjykata t’ia largojë ndalesën për të shkruar letra me persona tjerë.
Breivik u dënua me 21 vjet burgim – dënim maksimal në Norvegji, ndonëse mund të mbahet në afat të pacaktuar nëse shihet se përbën rrezik – për sulmin e kryer më 22 korrik të vitit 2011.
44-vjeçari mbahet në një sektor të caktuar në burgun Ringerike, që gjendet në brigjet e lumit që rrethon ishullin Utoeya, ku ai vrau 69 persona.
Shumica e të vrarëve në Utoeya ishin adoloshentë të përfshirë në forumin rinor të Partisë së Punës së Norvegjisë.
Në burg, Breivik ka qasje në dhomë fitnesi, kuzhinë, televizor dhe banjo.
Avokatët e Ministrisë së Drejtësisë thonë se Breivik merret me shumë aktivitete, si gatim, lojëra, ecje, basketboll dhe po ashtu studime.
Po ashtu ka kontakte me gardianë, prift, me mjekë dhe deri së fundi ka pasur mundësi të takohet me vullnetar të cilin Breivik donte ta shihte. Ai po ashtu takohet me dy të burgosur për një orë çdo javë.
“Një i burgosur jashtëzakonisht i rrezikshëm kërkon masa të jashtëzakonshme”, ka thënë avokati Andreas Hjetland. “Ai është ende krenar për atë që ka bërë. Ende ka pikëpamjet e njëjta ideologjike”.
Gjykatësi do të japë vendim në javët në vijim.
Breivik kishte kërkuar të lirohej me kusht në vitin 2022, por gjykata e refuzoi kërkesën duke vendosur se ai nuk ka ndryshuar dhe mbetet rrezik për shoqërinë.