Aktivistë kundër Islamit në Suedi dhe Danimarkë kanë djegur ose dëmtuar së voni disa kopje të Kuranit – librit të shenjtë të myslimanëve. Vandalizmi i fundit ka ndodhur më 3 shtator në qytetin Malmo të Suedisë dhe është kryer nga Salwan Momika. Ngjarja është pasuar me përleshje të dhunshme midis protestuesve të zemëruar dhe policisë, e cila ka arrestuar së paku dhjetë prej tyre.
Momika është refugjat nga Iraku, i cili thotë se kundërshton gjithë institucionin e Islamit. Ai ka djegur disa kopje të librit të shenjtë në muajt e fundit. Aksione të ngjashme kanë kryer edhe aktivistë të tjerë të ekstremit të djathtë, si në Suedi, ashtu edhe në Danimarkë. Dhe, tezë e përbashkët e të gjithë atyre është se myslimanët nuk i përkasin Evropës, e aq më pak vendeve nordike.
Qeveritë e shumë vendeve me shumicë myslimane i kanë dënuar në termat më të ashpër aktet e përdhosjes së Kuranit.
Në mes të korrikut, qindra njerëz kanë sulmuar ambasadën suedeze në Bagdad, duke i vënë flakën disa pjesëve të saj. Iraku, gjithashtu, ka dëbuar ambasadorin suedez dhe ka udhëzuar homologun e tij irakian që të tërhiqet nga ambasada në Stokholm.
Protestuesit në Bagdad dogjën Ambasadën e Suedisë. Korrik, 2023
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se vendi i tij nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Suedisë në NATO, derisa Stokholmi nuk e adreson çështjen e djegies së Kuranit.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka bërë thirrje Suedisë që ta dorëzojë Momikën dhe djegësit e tjerë të Kuranit përpara “sistemeve gjyqësore të vendeve islamike”.
Zhvillimet kanë ngritur alarmin në vendin që tradicionalisht e ka parë veten si respektues të pakicave. Shërbimi suedez i sigurisë, SAPO, ka thënë se djegiet e kopjeve të Kuranit dhe fushatat e dezinformimit e kanë transformuar imazhin e Suedisë – “nga një vend tolerant në një vend armiqësor ndaj Islamit dhe myslimanëve”.
“Policia e sigurisë po merret tani me kërcënime të vazhdueshme për sulme kundër Suedisë dhe interesave të Suedisë. Për rrjedhojë, alarmi për terrorizëm rritet në nivelin e dytë më të lartë”, ka njoftuar SAPO, muajin e kaluar.
Suedia është një ndër vendet me mbrojtjen më të madhe të lirisë së shprehjes. Kushtetuta e saj garanton të drejtën e lirisë së shprehjes për çdo temë, përfshirë edhe “shprehjen e mendimeve që vënë në dyshim mesazhet fetare, ose që mund të perceptohen si të dëmshme për besimtarin”.
Qeveria suedeze i ka cilësuar si “islamofobike” përdhosjet e Kuranit dhe ka thënë se ato nuk reflektojnë qëndrimet e saj. Por, një grup i shkrimtarëve suedezë ka thënë se ky reagim “është jashtëzakonisht i papërshtatshëm” dhe se nuk përkon me lirinë e shprehjes.
Ngjashëm sikurse Suedia, edhe Danimarka është në mesin e vendeve më laike dhe më liberale në botë. Suedia e ka shfuqizuar ligjin e blasfemisë në vitin 1970, ndërsa Danimarka më 2017. Pra, qeveritë e të dyja vendeve nuk kanë mjete ligjore për të ndaluar përdhosjet e Kuranit apo cilitdo libër tjetër të shenjtë. Megjithatë, kanë thënë se janë duke shqyrtuar mënyra për të ndaluar, ose së paku kufizuar aktet e tilla në vende publike.
bisedojmë me komunitetin mysliman këtu në Suedi. Nëse e dërgojmë sinjalin e duhur tek ai, unë nuk mendoj se ai do të jetë aq i ndjeshëm për këtë çështje”, thotë Fazlhashemi.
Kreu i Federatës Islamike të Suedisë, Mahmoud Khalfi, ka thënë se përpjekjet e organizatave islamike për të biseduar me Qeverinë suedeze, kanë hasur në heshtje.
“Duhet t’i përgjigjeni gjithë kësaj me diçka konkrete. Dërgoni një sinjal në botë se ne e marrim seriozisht këtë dhe do ta zgjidhim”, ka thënë Khalfi.
Dino Krasue, nga Instituti Danez për Studime Ndërkombëtare, thotë se djegiet e Kuranit janë instrumentalizuar nga qeveritë e disa vendeve me shumicë myslimane, të cilat i paraqesin ato si të orkestruara nga Qeveria daneze, pavarësisht faktit se autoritetet daneze, sipas tij, nuk kanë mjete ligjore për t’i ndaluar vandalizmat e tillë.
“Ky lloj diskursi ka krijuar imazhin e rremë të një komploti të shtetit kundër Islamit. Por, në fakt, është vetëm një numër shumë i vogël i individëve që djeg Kuranin”, thotë Krause.
Në Suedi, për shembull, një anketë e kryer së voni nga transmetuesi publik STV, ka treguar se shumica e qytetarëve, 53 për qind, janë kundër djegies së librave të shenjtë, si Kurani dhe Bibla; 34% kanë thënë se aktet e tilla duhet të lejohen, ndërsa 13% janë shprehur të pavendosur.
Në vendet e tjera të Evropës, si Gjermania, Italia, Polonia dhe Finlanda, shpifjet kundër një feje janë vepër penale. Në Angli dhe në Uells, ligjet e blasfemisë janë shfuqizuar në vitin 2008, por përdhosja e Kuranit dhe e shkrimeve të tjera të shenjta mund të dënohet me ligjin kundër nxitjes së urrejtjes fetare.
Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, ka thënë se situata e sigurisë në vendin e tij është në nivelin më serioz që nga Lufta e Dytë Botërore. Por, sipas fjalëve të ministrit të Jashtëm suedez, Tobias Billstrom, “zgjidhje të shpejta nuk ka”./ REL