Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se barrikadat duhet të hiqen menjëherë në pjesën veriore të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Krasniqi ka thënë se atje po krijohet një normalitet i ri si pasojë e mosreagimit nga ana e Qeverisë.
“Në pjesën veriore të Kosovës po ndodhë pikërisht ajo që kemi paralajmëruar ditë më parë dhe, e cila, në asnjë mënyrë nuk guxon të ndodhë. Barrikadat po kthehen në përditshmëri para syve të Qeverisë. Vetëm pse Qeveria po heshtë dhe po e injoron si fakt, kjo nuk do të thotë se në pjesën veriore nuk po krijohet një realitet i ri. Për ata që kanë veshë për të dëgjuar, e sy për të parë, këmbana po bie. Fuqishëm. Zëshëm”, ka thënë ai.
Në fund Krasniqi ka kërkuar që barrikadat të hiqen menjëherë.
“Kërkohet reagim i menjëhershëm. Hiqni ato barrikada të turpshme dhe dëshmojuni qytetarëve se jeni pranë tyre. Mos e braktisni Kosovën!”, tha në fund ai.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur të shtunën se në natën e mbrëmshme është vendosur një barrikadë e re në veri të Kosovës.
Sipas raportit policor, barrikada e re është vendosur “në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan”.
Ndërkaq tash e tetë ditë barrikadat janë vendosur nga serbët në Veri. /gazetametro