Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguat sot ndaj gjuhës së akterëve qeveritarë mbi sistemin gjyqësor dhe prokurorial, e cila siç thekson IKD paraqet ndërhyrje dhe cenim të pavarësisë së këtij sistemi, i cili sipas Kushtetutës dhe ligjeve të aplikueshme në Kosovë është i pavarur nga pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv.
Akterët qeveritarë përmes deklaratave publike janë duke kritikuar gjyqësorin për qasje selektive në trajtimin e lëndëve, derisa publikisht kërkohet llogari dhe dorëheqje të akterëve të caktuar brenda sistemit prokurorial.
Deklarimet e kësaj natyre të akterëve qeveritarë ndaj gjyqësorit qartazi paraqesin ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Fillimisht, IKD thekson faktin se shqetësimet e ngritura lidhur me sistemin e drejtësisë në Kosovë nga krerët qeveritarë janë theksuar vazhdimisht nga IKD, shoqëria civile dhe raportet ndërkombëtare. IKD në vazhdimësi ka publikuar raporte analitike të bazuara në dëshmi lidhur me qasjen selektive të gjykatësve dhe prokurorëve, përfshirë këtu mungesën e llogaridhënies, integritetit dhe instalimit të kulturës së pandëshkueshmerisë”, thuhet në reagim.
Sipas IKD-së, dështimi i vazhdueshëm i mekanizmave të brendshëm të kontrollit të sistemit të drejtësisë dhe mungesa e rezultateve në luftën kundër korrupsionit të profilit të lartë dhe krimit të organizuar është arsyeja kryesore pse zhvillimi i procesit të vetingut përmes ndryshimeve kushtetuese mbetet i pa alternativë.
“Por, përderisa kritika të kësaj natyre mund të vinë nga publiku, mediat dhe shoqëria civile, po të njëjtat kritika në rastet kur vinë nga pushteti ekzekutiv paraqesin ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Me këtë rast, akterët qeveritarë duhet ta kenë parasysh se duhet të veprojnë dhe sillen në bazë të kompetencave që ata kanë dhe nuk mund ta marrin rolin e mediave dhe shoqërisë civile”, thuhet më tej.
Në aspektin kushtetues, sipas Instituti të Kosovës për Drejtësi Qeveria nuk e ka asnjë kompetencë të vetme për të kërkuar llogari nga gjyqësori, i cili vet administrohet dhe nuk i jep llogari askujt.
“Duke vepruar në këtë mënyrë, akterët qeveritarë po veprojnë jashtë kompetencave të tyre dhe po shkelin parimin e ndarjes së pushteteve, duke dëshmuar mungesë të respektit edhe ndaj Kushtetutës si akti më i lartë juridik në Republikën e Kosovës.