Për këtë indicie korrupsioni, me provë ndryshimin e ligjit brenda natës, SPAK duhet të pyes Kryetarin e Komisionit të Ekonomi-Financës, Eduard Shalësi, Ministren e Sipërmarrjes, Edona Bilali dhe Ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, se në cilat “duar” përfunduan verdhushkat që detyruan komisionin të mblidhej në mes të natës, ndërkohë që vetë Kryesia e Kuvendit, ka pranuar se është bërë një takim ilegal para mbledhjes për heqjen e taksës
Një informacion konfidencial nga Ministria e Financave, ka bërë me dije për “Pamfleti”, se heqja e taksës së qumështit pluhur për fabrikat e bulmetrave, nuk ka qenë “bamirësi” e qeverisë për importin, por ka qenë pazar mes palëve.
U mblodhën 30 fabrika të kryesuara nga kompanitë mashtruese “Lufra”, “Erzeni” e “Zepa Natyral”, që hirrën e bëjnë qumësht, kos, gjalp e djathë me vaj palme, kimikate e qumësht pluhur, të cilat lobuan te kupola e mafies qeveritare, nëpërmjet 5 sekserëve të vetë emëruar si kryetarë shoqatash të prodhuesve e përpunuesve.
Pasi dorëzoi “valixhen” me 600 milionë lekë te “personi i duhur” i kupolës qeveritare, lobuesit e fabrikave të qumështit, u njoftuan nga Kuvendi, se mesnatën e 3 nëntorit 2021 do bënin një takim paraprak jo zyrtar në Komisionin e Ekonomi-Financës, për heqjen e taksës së qumështit pluhur.
Ndërsa mesditën e 4 nëntorit, në takimin zyrtar e mediatik me shoqatat e fabrikave, komisioni parlamentar e hoqi taksën nga paketa fiskale e vitit 2022, dhe i lejoji fabrikat ta përdorin lirshëm e pa kufizim qumështin pluhur, vajin e palmës, kimikatet, niseshtenë, miellin, hirrën etj.
Takimi sekret në mesnatë, u pranua nga zyra e shtypit e Kuvendit, prej të cilës u sqarua se ishte një takim konsultues para se të merrej vendimi për heqjen ose jo të taksës së qumështit pluhur.
Ky takim nate, është bërë më 3 nëntor, pas deklaratës që bëri Ministrja e Ekonomi-Financave, Delina Ibrahimaj paradite në komisionin e finacës, ku tha se në buxhetin e ri ishte përfshirë dhe taksa e qumështit pluhur 10 lekë për çdo kilogram.
Ndërsa takimi zyrtar me lobuesit e qumështit, u publikua në “FB” nga ish-ministrja e Financave, Anila Denaj, ku njoftonte se ishte finalizuar marrëveshja për heqjen e taksës së qumështit pluhur.
Kjo konfirmohet dhe nga projekt-ligji që ka publikuar Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla më 5 nëntor, ku thuhet se me vendim të komisionit parlamentar të ekonomi-financave, është shtuar neni 4, me të cilin hiqet taksa e qumështit pluhur për fabrikat.
Pas heqjes së taksës, ka reaguar deputeti Erjon Braçe, i cili ka bërë këto pyetje retorike në “FB”: – Kur kështu? Si kështu? Qeveria qenka tërhequr nga taksa e qumështit pluhur? Po pse? Për herë të parë dëgjova që e pranuan vetë, se përdorin qumësht pluhur”.
Mirëpo ja zoti Braçe, që në qeverinë tende, valixhja e lobimit me 600 milionë lekë të kriminelëve ushqimorë me logot “Lufra”, “Erzeni”, “Zepa Natyral” etj., pati më shumë fuqi dhe leverdi, se ligji për të ndaluar rrezikun e jetës dhe zhvatjen e popullatës me mashtrim nga këto fabrika.
Për këtë indicie korrupsioni, me provë ndryshimin e ligjit brenda natës, SPAK duhet të pyes Kryetarin e Komisionit Parlamentar të Ekonomi-Financës, Eduard Shalësi, Ministren e Sipërmarrjes, Edona Bilali dhe Ministren e Bujqësisë, Frida Krifca; se në cilat “duar” përfunduan verdhushkat që detyruan komisionin të mblidhej ilegalisht në mes të natës për të hequr këtë taksë që lejon krimin ushqimor./Pamfleti