Për dy muaj në Kosovë janë importuar rreth 30 milionë litra naftë e 3 milionë litra benzinë. Kjo u bë e ditur nga zyrtarë të Doganës së Kosovës. Por, kompanitë e derivateve po ankohen se janë në rezervat e fundit të derivateve. Thonë se furnizuesit nuk po ua japin sasitë e kërkuara të derivateve. E Kosova nuk ka rafineri të saj dhe karburantet i importon gjithmonë nga vendet e tjera.
Kompanitë e karburanteve po e kanë të vështirë të sigurojnë derivate nga operatorë të ndryshëm jashtë Kosovës. Kompanitë vendore tashmë po funksionojnë me kapacitete të limituara.
Sasia më e madhe e importuar e naftës në Kosovë vije nga Shqipëria, konkretisht nga kompanitë si “Kastrati Group” dhe “Gega Oil Group”.
Por “Kastrati Group”, tashmë ka ndërprerë bashkëpunimin me kompanitë kosovare sa i përket furnizimit me naftë.
Këtë po e konfirmojmë edhe vetë kompanitë kosovare të derivateve. Zyrtarë nga IP-Petrol në një bisedë për gazetën Nacionale theksojnë se kryesisht me naftë furnizohen nga Shqipëria e Greqia. Por në të dyja drejtimet ka kufizime.
“Ka mungesë në treg edhe në Greqi. Nga dy drejtimet ka kufizime prej që ka filluar lufta. Kriza ka filluar sidomos në javën e dytë. Ne me derivate furnizohemi kryesisht nga ‘Kastrati’, në Shqipëri. Ata e kanë ndalë furnizimin, mirëpo për shkak të marrëdhënieve kontraktuale që i kemi, ne vazhdojmë të furnizohemi por me sasi të limituara”, thotë Zekim Istogu, Menaxher i operativës IP, duke treguar se për momentin po i shfrytëzojnë diku 30 për qind të kapacieteve.
Por, Istogu frikësohet se nëse vazhdohet me këtë situatë, vendi shumë shpejt do të ketë probleme serioze.
“Në baza ditore, për momentin jemi mirë sepse po i shfrytëzojmë të gjitha kanalet. Por nëse vazhdon ky kufizim, do të kemi probleme. Për shkak se Kosova nuk ka rezerva shtetërore as të obligueshme. Ne s’kemi rafineri. E shumica e vendeve të rajonit, tashmë kanë rezerva që plotësojnë nevojat e vendit për 90 ditë”, thotë Istogu.
Për momentin një litër naftë në kompaninë IP është 1,65 euro, kurse, benzina 1.56 euro.
Por, nga Petrol Company po deklarojnë se derivate do të ketë mjaftueshëm.
“Dje dhe sot kemi rënie të çmimeve dhe stabilizim të furnizimeve, prandaj Petrol Company ju bën thirrje që të jeni të qetë rreth çështjes së derivateve, sepse do të ketë mjaftueshëm dhe me çmim të normalizuar, meqenëse ka ndryshime në arenën ndërkombëtare. Nuk pritet që çmimi të rritet në 3.50 euro”, kanë njoftuar nga kjo kompani.
Nga pompa e derivateve IP po theksojnë se rritjen e çmimeve e bëjnë duke u bazuar në çmimin e bursës.
“Për çështjen e rritjes së çmimeve, ne gjithmonë bazohemi në çmimin e bursës. Historikisht, shifrat e fundit kanë qenë rritja më e madhe e naftës prej që punon bursa”, thonë zyrtarë të IP-së.
Në anën tjetër, zyrtarë nga Dogana e Kosovës kanë thënë për gazetën Nacionale se në vitin 2021 importi i derivateve për naftë ka qenë 728 milionë litra, ndërsa për benzinë 84 milionë litra.
E me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë, Qeveria e Kosovës më 1 mars ka marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë.
Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare të jetë deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind.
Por, naftëtarët pretendojnë se kanë arritur marrëveshje me qeverinë për ndryshimin e marzhës tregtare për çmimet e naftës.
Shoqata e Naftëtarëve pretendon se të premten, më 5 mars, ka arritur marrëveshje me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për ndryshimin e marzhës tregtare për çmimet e derivateve të naftës.
“Kemi qenë kundër vendimit të mëparshëm, por kemi qenë tek ministresha (Rozeta Hajdari) në takim (të premtën, 5 mars) dhe e falënderojmë për mirëkuptim. Vendimi do të ndryshohet. Vendimi do të jetë: 2 për qind për importues, ndërsa 8 për qind për pikat e karburantit”, – ka thënë Fadil Berjani.
Qeveria kishte vendosur më 2 shkurt që marzha tregtare për çmimet e naftës të jetë jo më shumë se 4% për importuesit e naftës, ndërsa jo më shumë se 6% për shitjen me pakicë. Nga vendimi i tanishëm, i bie se çmimi i naftës nëpër pikat e karburanteve do të mund të rritet edhe për 2%.