Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka reaguar pas rritjes së fundit të çmimeve në vend, duke thënë që Qeveria Kurti, duhet të gjejë një zgjidhje, shkruan Gazeta Metro.
Në një postim në Facebook, Mustafa tha se opozita nuk po e gjuan me shishe molotovi, granata, gurë, e gaz lotsjellës qeverinë aktuale. Kështu ai ka thënë se qeveria duhet të gjejë zgjidhje pas ngritjes së çmimit të energjisë, vajit, derivateve e produkteve të tjera.
“Çmimin e energjisë, të vajit, të derivateve të naftës, e shumë tjera, nuk i ngritën qeveritë e kaluara. Kjo opozitë nuk po e gjuan Qeverinë me shishe molotovi, me granata, me bomba, gaz lotsjellës, gurë.. Përpos një partie parlamentare e njërës jashtë parlamentit, opozita tjetër s po ua prishë terezinë. Prandaj Qeveria s’ka arsye të vajtojë por duhet të ngjeshët dhe të tregojë lidership. Sepse, qeverisja në kohë të rëndomta ec vet, e në kohë të vështira tregon lidership. Dije, organizim, drejtim”, ka shkruar Mustafa.
Më tutje, ai tha se nuk është rol i institucioneve të frikësojnë qytetarët që po sulmon Serbia, teksa shtoi se nuk është rol i qeverisë edukimi i presidentit rus Vladimir Putin.
“Nuk është roli i institucioneve të Kosovës, poashtu, të tmerrojë qytetarët çdo mëngjes se po na sulmon Serbia. Sepse, njerëzit shqetësohen, frikësohen; spekulantët i rrisin çmimet, kurse qentë e luftës kërkojnë hapësirë për të profituar. Në fund mbesin qytetarët që ju votuan, ata që e paguajnë çmimin e frustrimeve të pamenaxhueshme”, shkroi më tutje Mustafa.
Së fundi reagime të shumta ka ngjallur shtrenjtimi enorm i vajit ushqimor, ku nga 1.60 sa ka qenë ditëve të fundit sot është raportuar se çmimi ka shkuar deri në 3.50 euro./gazetametro.net