Një aksident tragjik ka ndodhur një nate më parë në Krujë ku humbën jetën 4 persona, mes tyre edhe një çift i ri të fejuarish. Vetëm dy ditë më parë Shkumbin Brati 20-vjeç dhe Almeina Karaj 16 vjeçe zhvilluan ceremoninë e fejesës. Ata i premtuan njëri-tjetrit dashuri të përjetshme teksa lidhën fejesë, duke u ndjerë njerëzit më të lumtur në botë, por pa ditur se çfarë i priste. Fatkeqësisht jeta dhe lumturia e tyre u ndërpre në mes në mesnatën e 5 marsit, ku aksidenti tragjik i mori jetën.
“Edhe në botën tjetër do të dua njësoj si sot! Zemra ime, partneri im i jetës paqja e lumturia mbizotëroftë mbi ne të dy! Jam me fat që ne jetën time do e ndaj me ty, të paça gjithmonë”, ishte mesazhi i dy ditëve më parë ku lidhën fejesën, e shoqëruar me një foto që duket se është nga zyra e bashkisë.
Shkumbim Sadiki Brati me profesionin këngëtar dy ditë më parë kishte zyrtarizuar fejesën me 16-vjeçaren dhe për këtë mendohet se kishin udhëtuar për të festuar. Por pas kthimit nga festa kanë pësuar një aksident fatal në aksin Fushë-Krujë-Milot, pak pas mesnatë, ku dy makina janë përplasur mes tyre, duke lënë të vdekur 4 persona.
Viktima kanë mbetur çifti i të rinjve Shkumbin Brati, 20 vjeç dhe Almeina Karaj, 16 vjeçe, jeta e të cilëve është prerë në mes, vetëm një ditë pasi i kishin premtuar njëri-tjetrit dashuri të përjetshme, sepse në datën 4 mars kishin festuar fejesën. Nga përplasja e fortë e dy makinave, ka humbur jetën edhe drejtuesi i makinës ku ishin dy të rinjtë Artan Alushi, 30 vjeç si dhe shoferi i makinës tjetër Alfred Dika, 39-vjeç. Nga aksidenti ka mbijetuar 34-vjeçarja, Rudina Haka, e cila është dërguar në spital dhe është në gjendje të rëndë nën kujdesin e mjekëve. Ajo ndodhej në makinën e Artan Alushit, ku mbetën të vdekur 3 të rinjtë. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Borizanë në Fushë-Krujë, ndërsa shkak dyshohet shpejtësia e madhe, lagështira në rrugë si dhe parakalimi i gabuar.

Dinamika e aksidentit Dy makinat që janë përfshirë në aksident, një mjet tip autovetura i markës Benz me targa ‘AB437CC’ i cili lëvizte nga Fushë-Kruja në Thumanë me drejtues Alfred Dikën është përplasur me mjetin tip Golf targa AA 063ST, i cili lëvizte me drejtim nga Thumana për në Fushë-Krujë, me drejtues Artan Alushin. Nuk dihet sesi kanë qenë drejtuar makina, pasi janë gjetur të shkatërruar në një tokë anash rrugës, por mendohet se makina tip ‘Golf’ e cila po vinte në drejtim të Tiranës, ndërsa ‘Benzi’ në drejtim të kundërt të tij.
Aksi Fushë-Krujë-Laç është një aks problematik, ku shpesh herë janë regjistruar aksidente tragjike, që u kanë marrë jetën shumë personave. Kjo për shkak të infrastrukturës rrugore, si dhe mos respektimit të rregullave të qarkullimit në këtë aks nga drejtuesit e mjeteve.