Bie në pranga greku që masakroi familjen shqiptare. Policia greke ka arritur që të arrestojë autorin e dyshuar si ekzekutori i katër pjesëtarëve të familjes shqiptare në Andravida të Pyrgosit tri ditë më parë.
Autoritetet greke kanë bërë me dije se ka qenë një patrullë që e ka identifikuar fillimisht 62 vjeçarin S.V. dhe më pas është vënë në ndjekje të tij në zonën e Pyrgosit.
Mediat vendase shkruajnë se ai u ndoq në distancë për rreth 120 km dhe në momentin që automjeti i tij iu afrua qytetit të Patras, dhjetëra forca policie që po e prisnin, mundën ta ndalojnë.
Policia greke e kishte organizuar mirë kapjen duke angazhuar forca speciale pasi, sipas autoriteteve greke, 62 vjeçari paraqiste rrezik të lartë sepse qarkullonte i armatosur.
Ai u dërgua në drejtorinë e policisë të Ahaias dhe pritet të merret në pyetje.
Armand Kloci 32 vjeç nga Lushnja dhe gruaja e tij Marije Dosku 37 vjeçe nga Librazhdi, u vranë me armë zjarri në banesën e tyre nga pronari i shtëpisë që u kishte dhënë me qira. Aliu 3 vjeç dhe Edi 2 vjeç u mbytën me duar prej tij. Shpëtoi vetëm Mihali 12 vjeçar i cili kishte dalë me shokë, fëmijë i Marijes nga një martesë e mëparshme. /noa.al