Ish deputeti Pashko Ujka po bënte shëtitje me bashkëshorten ku u qëllua për vdekje më 29 nëntor të vitit të kaluar në qytetin e Shkodrës.
Natalinë Ujka ka rrëfyer për herë të parë momentet e fundit të bashkëshortit të saj. Të dy kanë qenë krah për krah duke bërë shëtitje në lulishten poshtë shtëpisë së tyre në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër, kur ish-deputeti u qëllua me pistoletë me silenciator.
Në rrëfimin e saj, Natalinë Ujka ka treguar edhe fjalët e fundit të Pashko Ujkës. Ajo thotë se nuk e kishte kuptuar çfarë kishte ndodhur dhe mendoi se burri i saj ishte rrëzuar përtokë. Por ish-deputeti i kishte thënë se e kishin plagosur.
“Unë përpara tij, 1 metër a nuk e di se si se ai (Pashko) ishte duke folur në telefon, edhe unë para tij ai mbrapa, veç kur dëgjova një puf (zhurmë) krejt të lehtë, që s’më besohej kurrë se mund të jetë një pistoletë se nuk e kisha dëgjuar kurrë. Veç kur ra në tokë. Kur më ka rënë në tokë i kam thënë “Pashko, u rrëzove”? Edhe e mora për ta çuar. Jo jo thotë nuk jam rrëzuar, më kanë plagosur. Jo mor Pashko nuk të kanë plagosur i them unë se s’ke gjak. Shof shpinën, se kishte rënë në tokë përmbys, edhe shoh në shpinë asnjë gjë më të vogël, as gjak asgjë.
Më kanë plagosur moj grua, mezi po marr frymë. Por jo mor Pashko nuk të kanë plagosur. Nuk ke asnjë gjë. Ose kush e di me çfarë të ranë i them unë. Nuk e di çfarë mendova në sekondë ndonjë tip shigjete. I kam çuar rrobat mbrapa e kam parë, një vrimë e vogël që nuk e di nga kishte hyrë ai plumb që i mori edhe jetën. Mua prapë s’më besoj, nuk më shkonte mendja se mund ta kenë plagosur. E megjithatë erdhi një djalë i ri, tha të ndihmoj ta çosh, u rrëzua? I them, kështu mendova se u rrëzua. Por, i thashë, ky më thotë se më kanë plagosur. Mos e luj tha. Edhe ne nuk e luajtëm nga vendi. E lamë aty”, rrëfen Natalinë Ujka, bashkëshortja e të ndjerit Pashko Ujka.