Muaji Shkurt ka nisur me reshje shiu dhe dëbore në disa qarqe të vendit duke shkaktuar probleme dhe në qarkullimin e mjeteve.
Lajmi i mirë është se aksi Korçë-Pogradec është i kalueshëm, edhe pse drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes.
Në terren po punohet mjete borëpastruese për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës. Java e parë e Shkurtit do të jetë e ftohtë, por jo ai lloj i ftohti polar që përjetuam në fundin e janarit.
ARRSH ka bërë me dije se gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka pasur reshje shiu dhe dëbore në: Qafë Thanë-Kapshticë, Boboshticë-Dardhë, Korçë-Ersekë-Leskovik, Bajram Curri-Valbonë, Kukës-Ura e Zapodit, Qafë Mali-Fierzë, Tamarë-Vermosh, Dedaj-Razëm, Bogë-Theth, Kuben-Vasije, Qafë Qelë-Pukë-Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin, pa sjellë probleme me qarkullimin.
Ndër të tjera, theksohet se drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes në lëvizje për shkak të lagështisë në rrugë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.