Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të bëjnë përpjekje për përmbushjen e premtimit për banim social, brenda mandatit, derisa ka shpjeguar edhe mënyrën e funksionimit të pagesave dhe kohëzgjatjen e kësteve.
Sipas Kurtit, programi i banimit social do të organizohet përmes skemës 120×120 dhe 150×150 ku do të përfshihen 4 mijë familje të cilat mund të përfitojnë.
“Kryeministri theksoi se brenda mandatit, ne synojmë të krijojmë programin për banim social, si dhe të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje. Kjo do të arrihet përmes skemës “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120, përkatësisht 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, mirëpo kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit, i cili do të themelohet dhe ngarkohet me zbatimin e projektit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.