Rruga A”, Supremja hedh poshtë kërkesën e kompanisë, hap rrugë për vazhdimin e punimeve
Gjykata Supreme ka hedhur poshtë kërkesën e kompanisë ndërtimore “Pro&Co Group”, për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit të Gjykatës Komerciale, duke hapur rrugë kështu për vazhdimin e punimeve në “Rrugën A”. Gazeta Express ka siguruar Aktgjykimin e Supremes për këtë rast, të cilin mund ta gjeni më poshtë.
Në Aktgjykimin e Supremes thuhet se aktvendimi i dhomës së shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, është vendim i drejtë, ligjor dhe i arsyetuar mjaftueshëm.Në dhjetor të vitit të kaluar, Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale kishin aprovuar si të bazuara ankesat e të paditurës Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe palëve të interesuara- Komuna e Prishtinës dhe O.E “Sallahu” sh.p.k, duke lejuar kështu nisjen e punimeve në këtë rrugë.
“Refuzohet si e pa bazuar kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, e parashtruar nga paditësi, “Pro&CO Group” Sh.p.k, me seli në Graçanicë, kundër aktvendimit të Gjykatës Komerciale në Prishtinë – Dhomat e Shkallës së Dytë, Kom.Dh.Sh.II, nr.1725/23 të datës 29.12.2023”, thuhet në Aktgjykimin e Supremes.
Pretendimet e kompanisë janë cilësuar si të pabazuara, të paqëndrueshme dhe të pa argumentuara.
“Gjykata Supreme i shqyrtoi edhe pretendimet e tjera të parashtruesit të kërkesës, dhe gjen se të njëjtat janë shqyrtuar nga dhoma e shkallës së dytë e Gjykatës Komerciale, nga ka rezultuar me të drejtë se janë të pabazuara, të paqëndrueshme dhe të pa argumentuara, andaj si të tilla edhe nga Gjykata Supreme refuzohen të pa bazuara dhe jo me ndikim për të vendosur ndryshe në këtë çështje nga ajo e vendosur dhoma e shkallës së dytë, si në aktvendimin e saj, i cili rezulton se është i drejtë, ligjor dhe i arsyetuar mjaftueshëm, bazuar në faktet vendimtare sipas provave dhe fakteve të paraqitura nga palët, ashtu si parashihet në nenin 22 të LKA’së, për aq sa është e domosdoshme të arsyetohet mënyra e vendosjes për masë të përkohshme, pa u prejudikuar mënyra e vendosjes së çësahtjes kryesore”, thuhet në fund të Aktgjykimit.