Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar qytetarët e besimit të krishterë me rastin e Pashkëve.
Haradinaj ka thënë se populli shqiptar mbijetoi në rrethana të vështira ndër vite duke qenë bashkë.
“Vëllezër dhe motra të besimit katolik, bashkëkombas shqiptarë të krishterë, si dhe miq ndërkombëtar, për shumë mot Pashkët. Populli shqiptar mbijetoi në rrethana të vështira ndër vite. Shqiptarët qëndruan bashkë pa dallim dhe kjo na bën popull të veçantë. Uroj që edhe kjo festë, të na gjejë të bashkuar, të sjellë bekim e begati në çdo familje”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka uruar edhe Papa Françeskun dhe Dodë Gjergjin.
“Uroj posaçërisht Imzot Dodë Gjergjin dhe Kishën Katolike në Kosovë. Urim të veçantë për Atin e Shenjtë, Papa Françeskun dhe bashkëpunëtorët, duke shpresuar për njohjen sa më parë të Kosovës nga Selia e Shenjtë”, është shprehur Haradinaj.