Këtë të martë në Tiranë u zhvilluan homazhe për artisten Hueyda El Saied, e cila u nda nga jeta para kohe në moshën 46-vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë.
Artistja mjaft e dashur për publikun shqiptar mbylli sot përgjithmonë në një spital të Luksenburgut ku dhe po mjekohej.
Gazetarja e emisionit ‘Rudina’ ka qenë në Rrugën e Dibrës, në një prej shtëpive funerale, aty ku mbaheshin homazhet në respekt të artistes Hueyda El Saied.
Një mikeshë dhe kolege e Hueyda, Sava Bardhi, tregoi se deri para 3 ditësh kur kishte biseduar për herë të fundit me të, 46-vjeçarja i kishte thënë që “do të jetonte”.
Bardhi: Për mua ka qenë më shumë se një shoqe, ka qenë një motër e vërtetë. Kemi ndarë çdo gjë bashkë. Ishte një dhimbje shumë e madhe dhe vazhdojmë të përjetojmë. Ajo jetoi me shumë dinjitet. Sëmundjen e kaloi me shumë dinjitet pa u qarë kurrë duke na dhënë kurajë të gjithëve dhe deri pardje që unë kam folur, ishte ajo që na thoshte që unë ‘do jetoj ju mos u bëni merak’. Sepse ajo besonte deri në momentin e fundit që kjo gjë do kalonte dhe ne do ta vazhdonim jetën si më përpara. Pozitiviteti e shoqëroi deri në momentin e fundit dhe kjo për mua është një gjë që më dhemb akoma sot më shumë, sepse ndoshta s’kishim mundësi edhe për kohën që jetojmë të ishim afër saj.
© SYRI.net