Frika e madhe ka kaluar dhe Mohamed Salah pritet të luajë sërish në Kupën e Afrikës. 31-vjeçari do të humbasë dy ndeshje të këtij kompeticioni pas dëmtimit të pësuar në barazimin ndaj Ganës.
Një skenar që i shkon për shtat klubit të Liverpool, pasi nuk rrezikon të humbasë shërbimet e sulmuesit në një periudhë tepër të ndërlikuar.
Salah la fushën në fundin e pjesës së parë teksa dyshohej për një tendosje muskulore.
Humbja e Salah, i cili është në prag të 100 ndeshjeve për vendin e tij, do të ishte një goditje e madhe për shtatë herë fituesin e kupës, Egjiptin, që nuk po kalon një moment të mire, teksa rrezikon kalimin në turin tjetër.
E sigurtë është që Salah do të humbasë përballjen e radhës ndaj Kepit të Gjelbër tashmë i kualifikuar, me faraonët që janë të detyruar për të marrë 3 pikëshin nëse duan të kalojnë më raundin e 1/16-ave.
Nëse ata arrijnë të kalojnë, Egjipti do të ishte përsëri pa Salah, i cili, në varësi të rikuperimit të tij, mund të kthehet vetëm në fazën çerekfinale të turneut.
31-vjeçari Salah ka humbur vetëm 10 ndeshje të kampionatit në gjashtë sezone e gjysmë për Liverpool, duke qenë një kockë e fortë dhe që nuk dëmtohet lehtë.