Kosova është e gatshme t’i mbajë zgjedhjet në katër komunat veriore, kështu tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, teksa ka shtuar se problemi qëndron tek serbët që jetojnë atje, pasi siç tha ajo ata po frikësohen nga njerëzit që paguhen e nxiten nga vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Këto deklarata ajo i bëri në një intervistë për “Politico”, ndërsa shtoi se serbëve lokalë atje po u bëhet presion që të mos marrin pjesë në këto zgjedhje.
“Jemi të gatshëm të mbajmë këto zgjedhje, problemi është se komuniteti serb që jeton në veri të Kosovës, që është vetëm një e treta e të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë, po frikësohet nga njerëzit që paguhen, përkrahen dhe nxiten nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe nga Serbia. Atyre u bëhet presion të mos marrin pjesë në zgjedhje. Ne ende nuk po shohim lëvizje ku Vuçiqi do të ndalojë së ndërhyri në zgjedhjet e një shteti tjetër”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka thënë se bojkoti i zgjedhjeve në veri nuk ishte vullnetar, por u bë shkaku i presionit që po i bëhej popullatës lokale në veri./21Media