Njëra prej klubeve më të suksesshme kosovare nga sportet kolektive në vitet e fundit në Kosovë, padyshim që është edhe KH Istogu në konkurrencën e femrave.
Skuadra nga qyteti i vogël dhe simpatik i vendit tonë, Istogu, përveç suksesit në arenë vendore, prej vitesh po paraqitet me sukses edhe në garat ndërkombëtare.
Kryetrajneri i klubit dhe më meritori për këto suksese të Istogut, pa dyshim që është trajneri Faruk Shala, ai në një intervistë për Telenews.al ka rrëfyer shumë gjëra për klubin që drejton, duke filluar nga përgatitjet për stinorin e ri, transferet e reja, garat evropiane dhe vështirësitë e ndryshme në të cilat po has ky klub simpatik.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
”Që nga mesi i muajt gusht ne kemi filluar stërvitjet këtu në Istog, përgatitjet po shkojnë mirë, ndonëse skuadra ende nuk është e kompletuar për shkak të disa obligimeve të hendbollistëve , por nga dita në ditë, skuadra po kompletohet dhe besoj që jemi në rrugë të mirë”, thotë fillimisht trajneri karizmatik i Istogut.
Për edicionin e ri nga ky klub ka risi të reja me lojtare, por edhe largime, trajneri pret që angazhimet e reja të tregojnë veten.
”Nga skuadra kemi pasur disa largime por edhe pruarje të reja, sido që te jetë pasi ti kemi edhe disa ndeshje kontrolluese ne presim qe të dimë edhe forcën tonë, deri diku ta dimë se sa është skuadra e aftë ti përballojë sfidat që na presin”.
Istogu edhe sivjet do të paraqitet në garat evropiane, Shala analizon kundërshtarin nga Portugalia, derisa shton se për një klub të hendbollit kosovar e sidomos tek femrat, vështirësitë financiare janë të mëdha, andaj për këtë kërkon përkrahje më të madhe financiare nga sponsorët dhe institucionet.
”Kemi të bëjmë më një skuadër qe vjen nga një shtet si Portugalia që hendbollin e ka në ngritje e sipër dhe sigurisht presim ndeshje të vështirë. Ndërsa, sa i përket fondeve financiare përgjithësisht sporti i hendbollit nuk qëndron mirë, e ne veçanti klubet femërore, andaj edhe kjo është një sfidë për ne sepse klubi nuk ka fonde të mjaftueshme për të përballuar koston e pjesëmarrjes në të gjitha garat qe ne marrim pjesë e sidomos këto të EHF Evropa Cup, kemi nevojë për më shumë sponsorë dhe përkrahjen institucionale”, thekson ai.
Edhe pse palestra e qytetit të Istogut, ka pak vite që është përuruar, është e çuditshme se si ajo nuk i plotëson kushtet për ndeshje, për shkak të dëmtimeve nga erërat dhe Shala tregon se Istogu ndeshjet evropiane do ti luajë në Pejë.
”Ashtu si jemi marrë vesh, të dy ndeshjet do te zhvillohen në Kosovë në fund të muajt shtator dhe fillim të muajt tetor, sipas të gjitha gjasave në palestrën e sporteve ”Karagaç’’ në Pejë, ngase palestra jonë në Istog pritet të hyjë në rinovim, në gjendjen momentale në të cilën është nuk mund të zhvillohen ndeshje të atij niveli, ngase në fillim të këtij viti ka pësuar dëme nga erërët e forta, dëme të cilat ende nuk janë sanuar”.
Vitet kalojnë dhe synimet e Istogut mbetet të njejta, klubi edhe sivjet do të synojë ti mbledh të gjithë trofetë në të cilët bën gara, derisa trajner Shala ka një mesazh edhe për qytetin tifozët e Istogut.
”Istogu dihet se në vazhdimësi është skuadër qe lufton për trofe , ashtu do të jenë synimet edhe këtë vit, normalisht prioritet për ne është paraqitja sa më e mirë në Evropë, shpresojmë të arrijmë të kalojmë kundërshtarin e parë dhe të rrisim mobilizimin tonë, që nga raundi në raund të luajmë sa më mirë dhe të arrijmë të shkojmë sa më larg që është e mundur, ndërsa mesazhi për të gjithë përkrahësit tanë të shumtë në qytetin tonë, është që Istogu edhe këtë vit do ti kënaq me lojë të bukur ashtu si janë mësuar nga ne”, mbyll intervistën e dhënë për Telenews.al, trajneri Faruk Shala.