Ilir Meta i ka dhënë një tjetër shuplakë aleatit të tij, Sali Berisha. Ndonëse ky i fundit shprehet se ata janë bashkë në koalicion, nga dita në ditë duket qartë se në këtë mes po përfiton vetëm Partia e Lirisë, pasi “Foltorja” ka marrë tatëpjetën.
Më 14 maj, Berisha u fut në zgjedhje nën logon e PL dhe duket se tani ai po vuan pasojat, ndërkohë që Ilir Meta shijon benefitet. Për të qenë më të saktë, rezultati i 14 majit ka bërë që PL të renditet si forca kryesor e opozitës nga KQZ.
Sot KQZ ka caktuar ndarjen e komisionerëve për zgjedhjet e pjesshme në Kukës më 24 shtator. Ilirian Celibashi, u shpreh se mbi bazën e rezultatit të 14 majit, Partia e Lirisë rezulton ajo që ka marrë më shumë vota në kampin opozitar dhe i takojnë 2 komisionerë në KZAZ. Ndërkohë PD renditet forcë e dytë dhe do të ketë 1 komisioner. Ndërkohë 3 të tjerë i takojnë PS si partia më e madhe në mazhorancë.
“Ky si subjekt (PL) ka një numër votash të tillë që e bën atë të pretendojë të drejtë për të propozuar anëtarët e KZAZ si parti politike e opozitës që ka marrë më shume vota në zgjedhjet vendore”, deklaroi Ilirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Sipas Kodit Zgjedhor si moment referimi për përcaktimin e peshës së secilës forcë politike janë zgjedhjet e fundit lokale dhe në betejën e 14 majit koalicioni “Bashkë Fitojmë” në votën për këshillat bashkiake u rendit i dyti pas Partisë Socialiste.
Por benefitet i merr Meta, pasi Berisha nuk figuron askund. “Rithemelimi” duket se po del tërësisht jashtë loje dhe Berisha tani do të jetë gjithmonë në gjunjë para Metës. Ky i fundit e ka në dorë nëse do vijojë gjatë ky bashkëpunim, pasi edhe në zgjedhjet e ardhme lokale pas 4 vitesh do kemi këtë precedent. Komisionerët do i marrë PL, duke goditur njëkohësisht si Berishën, ashtu dhe vetë PD zyrtare. /Pamfleti