Gjykata Komerciale ka aprovuar padinë e Klan Kosovës për ta shtyrë ekzekutimin e vendimeve që ia suspendojnë licencën e biznesit, shkruan Gazeta Metro.
Kjo është bërë e ditur në bazë të publikimit të bërë gjatë ditës të sotme nga ana e Gjykatës Komerciale.
Po ashtu është bërë e ditur se Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15(pesëmbëdhjetë) ditëve, nga dita e pranimit të aktvendimit, në Dhomën e Shkallës së Dytë në Gjykatën Komerciale të Kosovës, përmes Dhomave të Shkallës së Parë të kësaj Gjykate.
KËTU vendimi i plotë.
Çfarë ka ndodhur me certifikatën e biznesit të Klan Kosovës?
Më 28 korrik, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e hodhi poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit saj.
MINT-i kishte ngritur fillimisht kallëzim penal ndaj Klan Kosovës më 14 qershor, me pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron “Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.
Pas kësaj, ARBK-ja ia anuloi certifikatën e biznesit Klan Kosovës, para se ta shfuqizonte vendimin më 21 qershor. Megjithatë, një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit.
Ky vendim i ARBK-së riktheu në fuqi masën e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat më 22 qershor.
Klan Kosova u ankua menjëherë në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, i cili më 28 korrik vendoi t’ia hedhë poshtë ankesën dhe ta konfirmojë përfundimisht pezullimin e certifikatës së biznesit të saj, duke theksuar se ARBK-ja kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.
MINT-i e akuzon televizionin se e “ka shkelur Kushtetutën e Kosovës” duke i “paraqitur dy qytete të Kosovës, Pejën dhe Gjakovën, si pjesë të Serbisë” në dokumentet e regjistrimit të kompanisë.
“Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhej në njoftimin e MINT-it më 28 korrik.
Klan Kosova i ka mohuar akuzat dhe i ka quajtur gabim teknik lëshimet në dokumentet e regjistrimit.
“Pavarësisht se Klan Kosova SH.P.K. ka ndërmarrë hapat e rregullimit të dokumentacionit sipas udhëzimeve të MINT për të përmirësuar çështjen teknike në regjistrim, vendimi i Komisionit është refuzues, dhe si i tillë arbitrar dhe i papranueshëm për shoqëritë demokratike dhe shtetet ligjore”, thuhej në njoftimin e Klan Kosovës.
MINT më 31 korrik tha se komisioni i tij e ka mbyllur këtë çështje, pra do ta mbajë në fuqi pezullimin e licencës së biznesit të televizionit, por konfirmoi se Klan Kosova gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.