Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Adri Nurellari, ka reaguar pas refuzimit të ankesës së Klan Kosovës nga ana e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës për pezullim të certifikatës së biznesit.
Në llogarinë e tij në Facebook, ai e ka krahasuar kryeministrin Albin Kurti me liderë autoritarë, raporton Klan Kosova.
“Sot, po e shohim një skenar të ngjashëm që po zhvillohet në Kosovë. Para 16 vjetësh, Presidenti gjeorgjian Saakashvili mbylli televizionin kryesor të pavarur Imedi TV. Para 11 vjetësh, Kryeministri maqedonas Gruevski mbylli kanalin TV kryesor të pavarur A1”, ka shkruar ai.
“Të dy këta liderë, të cilët erdhën në pushtet me vota masive si shpëtimtarë dhe modernizues të shteteve të tyre, u larguan nga perëndimi dhe rrëshqitën në autoritarizëm. Të dy patën fatin e njëjtë tragjik dhe të turpshëm të largimit nga pushteti”, ka shtuar Nurellari.
Tutje, ai ka theksuar se përveç që Kurti po tenton ta mbyllë Klan Kosovën, ai edhe po e izolon Kosovën nga Perëndimi.
Sot, Albin Kurti po e mbyll televizionin kryesor të pavarur në Kosovë, Klan Kosova, ndërkohë që është duke e izoluar Kosovën nga perëndimi. Nëse vazhdon në këtë rrugë, fati i tij do të jetë i njëjtë. Demokracia kërkon liri të medies, dhe çdo lider evropian i cili mbyll zërat kritikë të medies së pavarur, herët a vonë, përballet me një fund të njëjtë”, ka thënë në fund ai.